Secondary Adv

Kreditimi në euro vijon rritjen edhe në 2025, depozitat ndjekin të njëjtin trend

Kreditimi në monedhën europiane u zgjerua edhe gjatë vitit 2025, duke reflektuar rikthimin e interesit për huamarrje në euro pas uljes së normave të interesit në tregjet financiare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar bankat në vend dhanë kredi të reja në euro me një vlerë të barasvlershme me 169.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, kredia në euro u rrit me 10.5 për qind, megjithëse kjo shifër nuk është e rregulluar me efektin e kursit të këmbimit.

 

Duke marrë parasysh se kursi mesatar euro-lek ra me rreth 2.8 për qind gjatë vitit 2025, rritja reale e kredisë në euro vlerësohet të ketë qenë rreth 13.3 për qind. Megjithatë, ritmi i zgjerimit ishte më i ulët se në vitin 2024, kur rritja e rregulluar nga kursi i këmbimit kishte arritur rreth 21 për qind.

 

Rritje më e balancuar mes bizneseve dhe individëve

Gjatë vitit 2025, rritja e kredisë në euro u shpërnda më në mënyrë të balancuar mes dy segmenteve kryesore të tregut: bizneseve dhe individëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kompanitë private morën hua në euro për një vlerë prej 138.3 miliardë lekësh, duke shënuar rritje me 6 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

Ndërkohë kreditimi për individët në euro u rrit më shpejt, duke arritur në 24.3 miliardë lekë, ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë. Pavarësisht kësaj, leku vijon të mbetet monedha dominuese në kreditimin e ri, veçanërisht për huatë e marra nga individët.

 

Rikthimi i interesit për huatë në euro

Kredia në euro kishte pësuar një frenim gjatë vitit 2023, kryesisht për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe zhvlerësimit të monedhës europiane ndaj lekut. Në atë periudhë, një pjesë e huamarrësve zgjodhën të konvertonin kreditë ekzistuese nga euro në lekë, duke përfituar nga kursi i favorshëm i këmbimit dhe nga fakti që për herë të parë normat e interesit në lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në euro.

 

Megjithatë, gjatë viteve 2024 dhe 2025 situata ndryshoi. Ulja e normave të interesit të euros në tregjet financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe treguesin Euribor që përdoret për indeksimin e huave në euro, ndikoi në rikthimin e interesit për të marrë kredi në monedhën europiane.

 

Rritje edhe e depozitave në euro

Në të njëjtën kohë, depozitat në euro në sistemin bankar kanë vazhduar të rriten, ndonëse me ritme më të moderuara. Në fund të vitit 2025 depozitat në monedhën europiane arritën në 8.75 miliardë euro, rreth 9 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Në përgjithësi, kredia për ekonominë shqiptare gjatë vitit të kaluar shënoi ritmet më të larta të rritjes që prej vitit 2009. Portofoli total i kredisë u rrit me 12.9 për qind në baza vjetore, duke u përshpejtuar edhe më tej krahasuar me rritjen prej 12.3 për qind të regjistruar në vitin 2024.

 

Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të frenuar ritmin e kreditimit, përfshirë rritjen e kërkesave minimale për kapital ndaj bankave dhe kufizimet mbi kreditë për blerjen e banesave, nuk kanë dhënë deri tani një efekt të ndjeshëm në ngadalësimin e këtij trendi.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat